Më 30 Mars, qytetarët baskë u bënë pjesë e iniciativës më masive që një vend mund të ndërrmarrë për gjuhën e vet. Qindra mijë pjesëmarrës marshojnë dhe vrapojnë duke kaluar dorë më dorë pa ndërprerje shkopin simbol të gjuhës. Për 11 ditë dhe 10 net, një festival gjuhe që do të zgjasë mbi 210 orë, do të zhvillohet përgjatë gjithë vendit Bask, në një distancë përreth 2300 km. Baskët ndodhen në pjesën jugore të Francës dhe në pjesën veriore të Spanjës.
Në videon e mëposhtme, mund të shihen disa pamje nga Korrika e kaluar:
Organizatorët lidhin në shkopin-simbol një mesazh sekret, i cili do të lexohet në fund të festivalit, pasi të ketë kaluar në mijëra duar. Mbajtja e shkopit te drurit si simbol i baskëve konsiderohet një privilegj, andaj dhe shoqëri apo organizata të ndryshme ‘’blejnë’’ kilometra rrugë në mbështetje të gjuhës baske. Shuma i shkon AEK-së për misionin e saj, organizatës përgjegjëse per mësimin e gjuhës baske për të rriturit, që është edhe organizatorja e këtij eventi madhështor të financuar nga vetë pjesëmarrësit.
Gjuha baske ka qënë shumë pranë zhdukjes. Aktualisht rreth një milion njerëz e flasin atë dhe, sipas UNESCO-s, rrezikon të zhduket veçanërisht në disa zona. Ajo është gjuhë zyrtare vetëm në një pjesë të territorit bask dhe jo në të gjithin, por Korrika e sjell gjithë territorin bashkë nën një atmosferë festive. Qytetarët, në mbështetje të gjuhës së tyre, organizojnë evente të ndryshme kur Korrika kalon nëpër qytetet e tyre.
Iniciativa, sikurse edhe organizata AEK, është krijuar nga vetë qytetarët. Korrika zhvillohet çdo dy vjet dhe këtë vit është edicioni i saj i 19-të. Marrë shkas nga suksesi që ajo ka edhe komunitete të tjera që kanë gjuhë pak të përdorura kanë filluar të realizojnë një event të njëjtë në vendet e tyre. Kështu edhe në Katalonia, Irlandë, Bretanjë, Uells, Galicia dhe në Luginën e Aranit, po ashtu vrapojnë në mbështetje të gjuhëve të tyre.
Pse ka nevojë Euskara (gjuha baske) për Korrikën?
Gjuha baske ka vuajtur një rënie të madhe, vecanërisht në tre shekujt e fundit. Talljet ndaj atyre që e flisnin, ndëshkimet dhe rrahjet për përdorimin e të vetmes gjuhë që ata njihnin, janë vetëm disa nga shembujt e asaj çka baskët kanë kaluar. Presioni psikologjik ishte një ndër faktorët që ka luajtur rol madhor tek njerëzit për ta ndërruar gjuhën e tyre. Shumë linguistë bien dakord që politikat linguistike që janë aplikuar nga Spanja dhe Franca kundër gjuhës baske kanë pasar një ndikim direkt.
Unaza është ndoshta simboli më i fuqishëm i shtypjes që gjuha baske ka vuajtur. Ishte e ndaluar ta flisje atë në shkollë dhe, kur mësuesi dëgjonte një fëmijë duke folur gjuhën baske, atëhere i jepte atij apo asaj unazën. Ky fëmijë duhej t’ia jepte unazën një fëmije tjetër që fliste në gjuhën baske. Kështu ata i bënin fëmijët informatorë dhe në fund të javës, ai që do ishte mbartësi i unazës do të ndëshkohej, zakonisht fizikisht. Shumë baskë e urrenin gjuhën e tyre pikërisht për shkak të unazës dhe madje refuzonin t’ua transmetonin fëmijëve të tyre, për shkak të vuajtjes që vinte prej saj. Tërësia e dëshmive të mbledhura nëpër vend tregon që kjo ishte një praktikë e zakonshme të paktën në dy shekujt e kaluar. Akoma sot jetojnë shumë baskë të cilët e kanë vuajtur unazën.
Gjuha baske ishte e ndaluar përgjatë një diktature që vazhdoi për 40 vjet. Policë civilë spiunonin nëpër rrugë gjuhën që njerzit flisnin në mënyrë që të ndëshkonin ata që flisnin gjuhën baske. Diktatura gati e fshiu atë nga jeta publike me arsyetimin se ishte një gjuhë kundër modernizimit.
Duke filluar nga vitet ‘50, njerëzit krijuan struktura klandestine dhe rreth viteve ’60 ata filluan të jepnin mësime gjuhe nëpër shtëpi. Kështu lindi një lëvizje e re në mbështetje të gjuhës. Në vitet ’70 me situatën politike në prag shpërbërjeje, mijëra qytetarë baskë mësuan gjuhën në shkollat e AEK-së (Organizatë me bazë kominutare per mësimin e gjuhës baske) e krijuar nga lëvizja në mbështetje të gjuhës. Pas rënies së diktaturës në 1980-ën, disa vizionarëve të kohës u lindi ideja të organizonin Korrikën si një mënyrë për të mbledhur fonde.
Sot, pas 35 vjetësh, ende gjuha baske nuk është zyrtare në shumicën e territorit ku ajo flitet. Në disa zona, shkollat publike nuk ofrojnë mundësinë e studimit në gjuhën baske dhe për rrjedhojë mijëra fëmijëve u duhet të përshkojnë mijëra kilometra në vit në mënyrë që të studjojnë në shkolla baske në qytetet e tjera. Në zonat ku kjo gjuhë ka statusin zyrtar, është bërë një përparim i ndjeshëm por megjithatë qeveria spanjolle vazhdon të raportojë në gjykata ato struktura të qytetit që operojnë në gjuhën baske. Për më tëpër, baskët nuk mund të harrojnë ditën në të cilën policia spanjolle mbylli të vetmen gazetë që shkruante në gjuhën baske, në vitin 2003. E quajtur “Egunkaria”, ajo ishte një organ i financuar me mbledhje fondesh publike. Bordi i drejtorëve u arrestua dhe torturua nga policia spanjolle. Në pjesën franceze vetëm gjuha franceze ka status zyrtar dhe për shkollat që jepnin mësim në gjuhën baske në të shkuarën janë hapur proçese gjyqësore. Më tej akoma, në një fshat i cili janarin e kaluar deklaroi gjuhën baske si gjuhë zyrtare, çështja kaloi gjithashtu në gjykatë.
“Shpërndani gjuhën baske dhe t’i bashkohemi të gjithë Korrikës”
Sipas disa ekspertëve të gjuhës, nga 7000 gjuhë ekzistuese në botë, gjysma e tyre do të zhduket gjatë këtij shekulli. Nevojitet ende një punë e madhe për të normalizuar gjuhën baske ne vendet baske, por fatmirësisht gjuha në vetvete është ende ekzistente.
“Euskara, gjuha baske, është i vetmi territor yni i lirë.” “Një gjuhë nuk zhduket për shkak të atyre që nuk e dinë atë e nuk e mësojnë, por për shkak të atyre që nuk e përdorin.” “Është jashtëzakonisht e bukur të të dëgjosh duke folur gjuhën baske.” Këto janë disa nga fjalitë e shkruara nëpër bluza, kafene dhe rrugëve të vendit Bask. Korrika është një iniciativë gjigande që kërkon përfshirjen e qindra vullnetarëve dhe për baskët është krenari që mundin ta realizojnë atë.
Në sajë të një iniciative si kjo, mijëra qytetarë baskë do arrijnë të mbushen me energjinë e brendshme për të vazhduar të mbështesin gjuhën e tyre dhe do të fuqizojnë vetveten e do të vazhdojnë të kenë vizionin e tyre për këtë botë.
Artikulli fillimisht u shkrua nga Lander Arbelaitz në ARGIA, u përkthye në anglisht nga Igor Letona dhe u përkthye nga anglishtja nga Lisiana Demiraj.